Ndryshimet e reja në aplikacionin Facebook

26.07.2022. / 14:18

Vitin e kaluar kemi shkruar për TikTokun dhe ndryshimet për të rritur kohëzgjatjen e videove që hapi një platformë tjetër për gazetarët për të shpërndarë përmbajtje mediale. TikToku kështu iu bë konkurrencë serioze Facebookut dhe YouTubeit. 

Atëbotë producenti dhe autori i rubrikës Creative Video në Washington Post deklaroi: "Një nga përparësitë e Tiktokut është se ka rritur besimin mes The Washington Postit dhe ndjekësve tanë. Përpara pranoja komente nga njerëz që më thonin: 'Nuk më pëlqen Washington Posti, por më pëlqen llogaria juaj në TikTok'. Është e mrekullueshme që kemi depërtuar te përdoruesit që po na shohin tani në një dritë tjetër".

Nga Meta tashmë kanë paralajmëruar ndryshime të mëdha në Facebook rreth mënyrës së paraqitjes së përmbajtjes në këtë rrjet, e nga kjo javë një pjesë e përdoruesve do të mund t'i qasen "Facebookut të ri".
Siç tregojnë në Meta, qëllimi i ndryshimit është që, në vend të fokusit aktual te komunikimi mes familjarëve dhe miqve, përdoruesve t'u shfaqen sa më shumë përmbajtje argëtuese, si dhe përmbajtje të personave dhe faqeve që ata nuk i ndjekin – krejt kjo për të tërhequr sa më shumë përdorues dhe për të rritur aktivitetin e tyre në këtë rrjet.

Ndryshimet do të vërehen që në ballinën e aplikacionit. Aty do të mund t'u qaseni Reelsëve të shkurtër dhe Storieve me video. Aty gjithashtu Facebooku do t'ju shfaqë përmbajtje të cilat ju rekomandojnë sistemet e automatizuara të kësaj platofme. Imagjinoni ballinën si përgjigje të Facebookut ndaj faqes së TikTokut "Për ju". 

Natyrisht, miqtë tuaj në këtë aplikacion do të vazhdojnë t’ju ndjekin – por në dritaren Feeds – derisa publikimet do të jenë në dispozicion kronologjikisht.

Kur ndryshimi të jetë në dispozicion të përdoruesve, në faqen kryesore të Facebookut, gjegjësisht në ballinë do të jetë në dispozicion përmbajtja të cilën Zuckerbergu e ka quajtur discovery engine, e cila – siç tregon edhe emri– është e menduar për të zbuluar përmbajtje të reja dhe zbavitëse që bazohen në rekomandime të personalizuara ndërsa meritat për këtë i ka inteligjenca artificiale.  

Në tabët e tjerë, përveç përmbajtjeve të miqve, do të jetë edhe përmbajtja e cila publikohet brenda grupeve dhe faqeve që ju i ndiqni, ndërsa do të jetë e mundur të krijohet edhe një tab me favorite ku do t'ju shfaqet vetëm përmbajtja e personave dhe faqeve të cilat janë më interesante për përdoruesit. 

Tabët si Facebook Watch dhe grupet do të mbeten siç janë.

Ndryshimi është pjesë e përpjekjeve të Metas për të nxitur përdorimin e aplikacioneve të saj sociale, të cilat gjithashtu përfshijnë Instagramin. Në muajt e fundit, Mark Zuckerberg, CEO i Metas, ka promovuar video produkte në Instagram dhe Facebook dhe kompania ka sjellë përmbajtje më të sugjeruara për t'i mbajtur përdoruesit dhe për t'i kthyer rregullisht në aplikacione. Në Instagram, formula duket se funksionon, tha Zuckerberg.

"Ajo që vërtet po zbulojmë është se njerëzit duan të lidhen përmes përmbajtjes", thotë shefi ekzekutiv i Target në Facebook, Tom Alison. "Pjesë e madhe e asaj nga po shkojmë me Facebookun është përpjekja për t'ju sjellë përmbajtje më të mirë që vërtet do të kënaqë interesat tuaja, e pastaj e bëjmë super të lehtë shpërndarjen e tyre, diskutimin dhe lidhjen me njerëz të tjerë në rrjetin tuaj".

Përditësimi i Facebookut për të gjithë përdoruesit do të jetë në dispozicion gjatë kësaj jave. Mbetet të shihet se si do të pranohet krejt kjo nga përdoruesit, por s'ka dyshim se do të sjellë freski në përdorimin e deritanishëm të këtij aplikacioni, dhe do të hapë mundësi të reja të plasimit të përmbajtjes drejt përdoruesve të cilët nuk ndjekin faqe a persona të caktuar. Kjo përfundimisht do të hapë opsione shtesë për mediat që përdorin Facebookun për të shpërndarë përmbajtjen e tyre, sepse nëpërmjet këtyre veçorive të reja do të mundësohet që përmbajtjet të arrijnë tek ata përdorues që nuk ju ndjekin. Prandaj, do të jetë me rëndësi të madhe për mediat të personaliojnë përmbajtjen e tyre që përmbajtja e gjeneruar algoritmike të arrijë te përdoruesit e rinj. Megjithatë, lind pyetja nëse mediat do të kenë sukses që edhe me përmbajtje të mirë të depërtojnë tek ekranet e ndjekësve të mundshëm, pasi Facebooku e ka braktisur projektin News. 

Ocijenite kvalitet članka