Nikola Vučić:  Gazetarët në vijën e parë të mbrojtjes së demokracisë

22.03.2021. / 11:03

Nikola Vučić është gazetar dhe redaktor i ri dhe shumë i zoti, i cili aktualisht po punon në televizionin  N1 në Bosnjë dhe Hercegovinë. Për të tretin vit radhazi, ai po redakton dhe drejton emisionin “Jashtë kornizave” në këtë televizion. Përmes këtij emisioni, ai krijon një hapësirë për biseda rreth temave dhe fenomeneve sociale, politike, kulturore dhe shumë temave të tjera, derisa specifika e emisionit nuk është vetëm te zgjedhja e temave, por edhe te mënyra se si ato diskutohen.  Dhe përveç këtij emisioni,  fokusi  i angazhimit të tij gazetaror janë politikat kulturore, ndërtimi i paqes dhe të drejtat e njeriut.

Për të, gazetaria është "një nga format e mundshme dhe më të rëndësishme të angazhimit shoqëror, por para së gjithash një pasqyrë objektive e përditshmërisë sociale".

Ai fitoi çmimin UN Women në BeH, pastaj çmimin e Shoqatës së Gazetarëve të BeH dhe Shoqatës XY në kategorinë e gazetarisë televizive për raportimin mbi dhunën gjinore, si dhe çmimin e Komisionit për Barazi Gjinore të Asamblesë Parlamentare të BeH për kontributin e tij për barazi gjinore.

Me të kemi biseduar rreth mënyrës se si ai e përjetoi pandeminë përmes prizmit të gazetarisë dhe se si e sheh çështjen e pabarazisë gjinore në media, sa vetëdije ka midis kolegëve të tij për ekzistencën e këtij problemi dhe çka mendon se kolegët e tij mund të ndryshojnë ose sjellin në sferën e gazetarisë, që mund t'i ndihmonte pozitës më të mirë të gazetareve.

Gazetaria duhet të ruajë integritetin e saj dhe hapësirën për të menduarit kritik

Balkansmedia: Me shfaqjen e pandemisë, shumë gjëra kanë ndryshuar.  Si e keni përjetuar ju, si gazetar, vitin që e lamë pas? Çfarë ndryshimesh ka pësuar gazetaria, veçanërisht nëse flasim për televizionin, pasi që ju punoni për një medium të tillë?

Nikola Vučić:  Mbaj mend që fillimet e pandemisë në vitin 2020 ishin shumë të trazuara për gazetarët në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe disa nivele të qeverisjes përdorën rrethanat e jashtëzakonshme shoqërore për të kufizuar informimin e publikut dhe për t'ua parandaluar mediave mbulimin e ngjarjeve të rëndësishme. Gjithçka ndodhi me pretekstin e brengës së autoriteteve për të mirën e përbashkët dhe shëndetin e qytetarëve, por shumë shpejt pamë se interesi për informimin e publikut nuk duhej përjashtuar për hir të shëndetit publik. Nuk ishte vetëm abuzimi i pozitës karakteristikë mbizotëruese gjatë vitit të kaluar. Gazetarët/et ishin në ballë të mbrojtjes së demokracisë gjatë gjithë kohës dhe bënë pyetje pa bërë kompromis karshi përpjekjeve për menaxhim autoritar të emergjencave.  Personalisht, jam shumë i lumtur për guximin gazetaror në atë vit të krizës së shëndetit publik.

Balkansmedia:  Sipas mendimit tuaj, cilat janë sfidat me të cilat do të përballet gazetaria në vitet e ardhshme?

Nikola Vučić:  Pyetje e mirë, por si mund ta dij përgjigjen kur gjithçka ndryshon nga çasti në çast. Çdo gjë ka ndryshuar pamjen e vet, shoqëria jonë nuk është e njëjtë me atë të pandemisë, marrëdhëniet tona ndërpersonale janë korrigjuar ndërsa frika ka pushtuar mendjen kolektive të njerëzve. Çfarëdo që ndodh, shpresoj që gazetaria të ruajë integritetin e saj dhe të mbetet hapësirë për të menduarit kritik, kjo është pengesa jonë e fundit drejt demokracisë.

Raportimi për të margjinalizuarit është një nga çështjet kryesore gazetarore në Ballkan 

Balkansmedia:  Javën e shkuar  biseduam me disa gazetarë nga Ballkani Perëndimor për ekzistimin e pabarazisë mes burrave dhe grave në gazetari. Burrat janë kryesisht ata që janë në pozitat drejtuese. Si e perceptoni ju këtë pyetje, cila është pozita e grave në gazetari?

Nikola Vučić:  Dua që kjo pozitë të jetë më e mirë sepse kam mësuar shumë më tepër nga gazetaret sesa nga gazetarët. Jo sepse ato janë ndoshta edhe më të shumta në këtë sektor, por sepse janë shumë shpesh më të guximshme se kolegët e tyre, dhe i përmbahen korrektësisë metodologjike dhe standardeve të larta profesionale. Dhe kjo nuk i ndalon të zbulojnë skandale, të tregojnë se "mbreti është lakuriq" ose diçka e tillë. Gjithmonë në diskutime përpiqem të imponoj temën e rëndësisë së solidaritetit gazetaror dhe bashkëpunimit burrë-grua, pavarësisht se a jam në mjedis privat apo biznesor.

Balkansmedia:  Sipas jush, cili është niveli i vetëdijes së kolegëve tuaj për faktin se gazetaret janë të pabarabarta? Dhe nëse mendoni se nuk ekziston ajo, pse është kështu?

Nikola Vučić:  Ndërsa lufta kundër cënimit të të drejtave të grave në shoqëri po diskreditohet me argumente të pabazuara, shpesh po diskreditohet edhe pretendimi se gazetaret janë të pabarabarta.  Kjo është e natyrshme ngase grupet e privilegjuara mbrojnë pozitat e tyre, dhe kjo është pengesë e madhe për arritjen e barazisë. Po, vetëdija duhet rritur.

Balkansmedia:  Disa hulumtime tregojnë se kryesisht gazetaret janë ato që merren me raportimin për grupet e margjinalizuara dhe pabarazinë gjinore. Si e shihni ju këtë fakt? Pse ndodh kështu?

Nikola Vučić:  Sepse këtu në Ballkan kjo është çështje që shihet përmes një ndarjeje binare të roleve gjinore: për gra ato janë tema që lidhen me grupe dhe individë të margjinalizuar, dhe për burra ato janë "tema të vështira" të korrupsionit, krimit, vrasjeve dhe të ngjashme. Sigurisht, kjo nuk ka asnjë lidhje me mendjen e shëndoshë dhe është e rëndësishme që burrat dhe gratë në gazetari të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në hedhjen dritë mbi të gjitha çështjet e rëndësishme shoqërore, dhe raportimi mbi të margjinalizuarit është një nga çështjet kryesore gazetarore në Ballkan.

Balkansmedia:  Ç'është ajo që kolegët tuaj mund të ndryshojnë ose të sjellin në sferën e gazetarisë, e që do të kontribonte për një pozitë më të mirë të grave, si në shoqëri në përgjithësi ashtu edhe në profesionin e gazetarisë?

Nikola Vučić:  Të gjithëve do t'u rekomandoja më shumë edukim dhe më shumë vështrim të botës, të vendeve të zhvilluara, se si funksionon profesioni atje. Ne këtu nuk jemi aspak të veçantë në raport me botën, vetëm duhet të pranojmë një herë e mirë të jemi pjesë e civilizimit perëndimor dhe të largohemi nga ato duar të parimit tradicional, patriarkal të jetës, parimit të funksionimit. 

Ocijenite kvalitet članka