

Javën e kaluar ju prezantuam ArcGIS StoryMaps, vegël e shkëlqyer për krijimin e përmbajtjeve me anë të llojeve të ndryshme të hartave. Të vetëdijshëm për faktin se hartat sot përdoren në gazetari dhe se sa të dobishme mund të jenë ato për të paraqitur të dhëna dhe tema të ndryshme, besojmë se kjo vegël mund të jetë ndihmesë e madhe në punën tuaj të përditshme.
Me një numër opsionesh që ajo ofron, ju do të mund të krijoni storie mahnitëse dhe shumë profesionale duke përdorur harta. Rezultatet përfundimtare janë të mrekullueshme ndërsa procesi i krijimit është shumë i shkurtër. Krejt çka ju duhet është të keni një ide se çka dëshironi të paraqitni nëpërmjet hartës, dhe të përgatisni të gjitha informatat e nevojshme që do t'i fusni gjatë krijimit të saj.
Kjo vegël ofron shumë mundësi në versionin falas, dhe me të do të mund të krijoni udhëtime të mrekullueshëme nëpër harta.
Sot po ju sjellim një tutorial të shkurtër se si të krijoni një hartë interaktive, e cila do të përmbajë fotografi, video, përshkrime dhe e cila në mënyrë vizualisht tërheqëse do ta çojë çdo shikues nëpër këtë udhëtim.
Për qëllimet e këtij teksti vendosëm të përdorim turizmin si temë e cila në këtë periudhë vere, kur të gjithë shkojnë në pushime, mund të jetë shumë e dobishme. Le të jetë ky frymëzim për të gjitha mediat për të paraqitur destinacione interesante anembanë Ballkanit Perëndimor në mënyra kreative, por sigurisht edhe anembanë botës.
Fotografitë, videot dhe teksti janë përdorur nga Wikipedia dhe linkët në Youtube.
Shikoni në dymbëdhjetë minuta se si ishte zhvilluar procesi i krijimit të një harte interaktive, e rezultatin përfundimtar e vendosëm poshtë tutorialit. Shpresojmë të ju pëlqejë, dhe të jetë i dobishëm në punën tuaj të ardhshme.